Aktori i njohur francez Gérard Depardieu do të dalë në gjyq për përdhunimin e dyshuar të aktores Charlotte Arnould, konfirmoi sot Gjykata e Apelit në Paris, njofton BBC.
Arnould, e cila ishte 22 vjeçe në atë kohë, e kishte denoncuar ngjarjen disa ditë pasi kishte shkuar në shtëpinë e aktorit në Paris, më 7 gusht 2018, për të bërë prova për një shfaqje teatrore.
Ajo ka hequr dorë nga e drejta e anonimitetit, ndërsa avokatja e saj, Carine Durrieu Diebolt, deklaroi jashtë gjykatës se ky vendim përbën një fitore dhe një lehtësim të madh për klienten e saj, duke e cilësuar gjyqin e ardhshëm si historik.
Çështja e Arnould fillimisht u pushua për mungesë provash të mjaftueshme, por pasi ajo ngriti një padi civile, në verën e vitit 2020 u hap një hetim i ri gjyqësor.
Depardieu kishte qenë mik i babait të aktores dhe një pjesë e madhe e asaj që ndodhi më 7 gusht 2018 në banesën e tij u regjistrua nga kamerat e sigurisë së vetë aktorit.
Gjykata e Apelit vendosi që 77-vjeçari të gjykohet për ngjarjen e ndodhur në shtëpinë e tij, por rrëzoi akuzën për një tjetër përdhunim të dyshuar në një hotel gjashtë ditë më vonë.
Avokati i Depardieu, David-Olivier Kaminski, u tha gazetarëve se gjykata ka vendosur pjesërisht në favor të tij dhe shtoi se sapo të zbardhet vendimi, do të shqyrtojnë mundësinë e ankimimit në Gjykatën e Kasacionit.
Vetë Depardieu i ka mohuar kategorikisht akuzat.
Në një letër të botuar në gazetën Le Figaro në vitin 2023, ai shkruante se “nuk ka pasur kurrë asnjë shtrëngim apo dhunë mes nesh”.
Për dekada me radhë, Gérard Depardieu ka qenë një figurë qendrore e kinemasë franceze dhe botërore, i vlerësuar me urdhrin e “Legjionit të Nderit” në vitin 1996 dhe i njohur për rolet në filma si ‘Green Card’, ‘The Man in the Iron Mask’ dhe sagën ‘Asterix’.
Megjithatë, vitet e fundit ai është përballur me një sërë akuzash për sjelljen e tij në sheshxhirime, pas shpërthimit të lëvizjes franceze kundër ngacmimeve seksuale.
Vitin e kaluar, ai u dënua me 18 muaj burgim me kusht pasi u shpall fajtor për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit Les Volets Verts në vitin 2021.
Ai u regjistrua gjithashtu në regjistrin e abuzuesve seksualë dhe u urdhërua të paguante dëmshpërblim. Javën e kaluar, aktori hoqi dorë nga apeli dhe kërkoi “ndjesë të sinqertë” për sjelljen e tij.
Paralelisht, autoritetet franceze konfirmuan javën e kaluar se Depardieu ndodhet nën një tjetër hetim, së bashku me shkrimtarin e njohur francez Michel Houellebecq, lidhur me akuzat për një “përdhunim në grup” të dyshuar në sheshxhirimin e filmit Thalasso në vitin 2018.
