
Në kuadër të mbylljes së projektit të Selisë së Shenjtë Bektashiane “Viti i Naim Frashërit, 25 maj 2020-25 maj 2021”, autorët e njohur Kujtim Boriçi dhe Nuri Çuni kanë promovuar librin e tyre të titulluar “Naim Frashësi, apostull dhe bilbil i shqiptarizmës”. Drejtues e përfaqësues të besimeve fetare në Shipëri, Kosovë e Maqedoni e Veriut ishin pjesë e këtij aktiviteti, ndërsa nuk munguan as homazhet në nder të vëllezërve Frashëri në sheshin përballë “Piramidës” në kryeqytet.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj pohoi se libri i dy shkrimtarëve të njohur përmbledh esencën kryesore të projektit të Selisë së Shenjtë Bektashiane.
“Përvjetorët e lindjes dhe ndarjes nga jeta, janë pikat kulmore kushtuar atij. Përkujtimi i këtyre përvjetorëve, tashmë është kthyer në traditë, por meqenëse në periudhën kohore që përkon 175-vjetorin e lindjes dhe 120-vjetorin e ndarjes nga jeta, Selia e Shenjtë Bektashiane ideoi, përgatiti dhe realizon projektin ‘Viti i Naim Frashërit, 25 maj 2020-25 maj 2021’. Kur ka kaluar kjo periudhë, jemi këtu për të promovuar librin ‘Naim Frashëri, apostull dhe bilbil i shqiptarizmës’, të autorëve Kujtim Boriçi & Nuri Çuni, libër që përmbledh në esencë aktivitetet më kryesore, referuar punës së bërë, rezulton se kjo ndërmarrje e Selisë së Shenjtë Bektashiane, e mbështetur nga institucione të rëndësishme shtetërore, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, shkencëtarë, studiues e historianë, qe e suksesshme. Me këtë rast, duhet të përgëzoj e bekoj dy autorët për punën voluminoze, cilësore e profesionale që kanë bërë”, është shprehur Kryegjyshi Bektashian gjatë fjalës së tij.



