"Spider-Man: Brand New Day" ka shënuar një debutim spektakolar në kinematë botërore, duke arkëtuar 927 milionë dollarë në fundjavën e parë të shfaqjes, njofton BBC.
Filmi renditet tashmë si hapja e dytë më e madhe globale në histori, pas "Avengers: Endgame", i cili në vitin 2019 grumbulloi mbi 1.2 miliardë dollarë gjatë fundjavës së premierës.
Me një buxhet të vlerësuar prej 225 milionë dollarësh, filmi e ka tejkaluar shumëfish investimin që në ditët e para të shfaqjes.
Në Amerikën e Veriut, "Brand New Day" vendosi gjithashtu rekordin e dytë më të mirë të të gjitha kohërave, duke arkëtuar 335 milionë dollarë, ndërsa në tregjet ndërkombëtare mblodhi 572 milionë dollarë nga mbi 73 mijë ekrane.
Vetëm në Kinë filmi gjeneroi 121 milionë dollarë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar arkëtoi 49 milionë dollarë.
Filmi sjell sërish në rolet kryesore Tom Holland dhe Zendaya, të cilët janë edhe bashkëshortë në jetën reale. Ngjarjet zhvillohen disa vite pas "Spider-Man: No Way Home" (2021), ku Peter Parker vazhdon luftën kundër krimit në një botë që nuk e kujton më identitetin e tij si Spider-Man.
Produksioni është pritur pozitivisht nga kritika, me shumë vlerësime që e cilësojnë interpretimin e Holland si më të mirin në rolin e Spider-Man deri më sot.
Suksesi i "Brand New Day" i jep një shtysë të rëndësishme Marvel Studios, e cila po përgatitet për publikimin e shumëpritur të "Avengers: Doomsday" në dhjetor.
Pas suksesit rekord të "Avengers: Endgame", studio ka hasur vështirësi në përsëritjen e të njëjtit nivel suksesi, me filma si "The Marvels" dhe "Thunderbolts", të cilët, megjithëse mbuluan kostot e prodhimit, rezultuan ndër projektet me fitimet më të ulëta të Marvel.
Ndërkohë, ekskluziviteti Spider-Man mbetet një nga më fitimprurësit për Marvel, pasi "Spider-Man: No Way Home" arkëtoi afro 2 miliardë dollarë në mbarë botën.
Presidenti i Marvel Studios, Kevin Feige, e cilësoi debutimin e filmit si "vërtet fenomenal", duke falënderuar publikun që zgjodhi ta përjetonte filmin në ekranin e madh.
Viti 2026 po shënon gjithashtu një rikthim të fuqishëm të kinemave pas rënies së shkaktuar nga pandemia.
Tregu i Amerikës së Veriut pritet të kalojë 10 miliardë dollarë në shitje biletash për herë të parë që nga viti 2019, i nxitur nga suksese si "Toy Story 5", "Michael", "The Super Mario Galaxy Movie", si edhe "The Odyssey" i regjisorit Christopher Nolan, të cilët po synojnë gjithashtu shifrën e 1 miliard dollarëve në arkëtime.
Në mesin e surprizave të vitit spikasin edhe filmat e pavarur horror "Obsession" dhe "Backrooms", që kanë gjeneruar mbi 390 milionë dollarë secili, pavarësisht buxheteve të tyre modeste.



