Ka një vend në botë ku njerëzit jetojnë mirë edhe pasi i kanë kaluar të njëqindtat. Ai i shtohet listës në të cilën ndodhet Okinava e Japonisë, e njohur si Toka e të Pavdekshmëve apo fshati Campodimele në provincën italiane Latina. Ky cep i largët i botës quhet Lerik dhe ndodhet në jug të Azerbajxhanit.
Rajoni i Kaukazit të Jugut ka një numër të madh 100-vjeçarësh. Mbi 100 prej tyre jetojnë në zonat e Lankaranit dhe atë të Karabag-Karabakut, por fshati Lerik ua kalon të gjithëve. Siç rrëfen CNN në një reportazh, për të arritur në fshat, duhet të ngjitesh në rrugët malore të dredha-dredha, ku banorët duket se kanë zbuluar eliksirin e jetëgjatësisë. Dhe ka edhe një muze që e dokumenton: quhet Muzeu i Jetëgjatësisë: i vogël, me dy dhoma, i ndërtuar në 1991 dhe i rinovuar në 2010, ai përmban mbi dy mijë objekte që dokumentojnë jetën dhe kujtimet e banorëve më të vjetër të rajonit. Aty mund të gjesh hekura rrobash, shalle dhe këmisha, enë argjendi, çorape të thurura dhe qilima të ngjyrosur me dorë që ende kanë ngjyra të ndritshme, pavarësisht viteve që kanë kaluar. Dhe më pas vijnë letrat, të shkruara në gjuhën azere dhe rusisht: artefakte personale aq të vjetra, sa boja e tyre ka nisur të venitet.
Njeriu më i vjetër, që është ende gjallë në Lerik, është një grua dhe quhet Raji Ibrahimova. Ajo është 105 vjeç. Goxha moshë, por sërish duket pak në krahasim me atë që supozohet të ketë thyer rekordin e zonës. Ai është Shirali Muslumov, një bari për të cilin thuhet se ka jetuar deri në 168 vjet. Faqet e zverdhura të pasaportës së tij provojnë se ai ka lindur në vitin 1805 dhe në gurin e varrit gjendet i gdhendur viti i vdekjes: 1973. Nëse të dhënat janë të sakta, atëherë ai do të ishte njeriu më i vjetër në tokë. Fatkeqësisht, në fillim të shekullit XIX, lindjet rrallë regjistroheshin në fshatra të largëta si vendlindja e tij në Barzavu, kështu që nuk ka asnjë dokument plotësisht të besueshëm që provon se kur ka lindur ai në të vërtetë. Sot në rajon ka 11 persona mbi njëqind vjeç, nga një popullsi prej 84 mijë banorë.
Por cila është receta e jetëgjatësisë për këta njerëz?
"Ata janë larg stresit dhe e jetojnë ditën pa planifikuar të ardhmen", shpjegon ciceroni i muzeut. Ndryshe nga sa mund të mendohet, njëqindvjeçarët e Lerikut hanë mish, por ata kanë trashëguar preferencën për produktet e qumështit të freskëta, si gjiza, gjalpi, qumështi dhe kosi, që ata e pinë njësoj si paraardhësit e tyre, për të cilët abstenenca e mishit ishte më e madhe, por vetëm për shkak të vështirësive ekonomike.
Edhe lartësia e maleve mund të jetë një faktor
Një studim i vitit 2017 nga Universiteti i Navarra-s në Spanjë zbuloi se të jetosh në lartësi të mëdha zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të zemrës, atakut dhe diabetit. Një studim tjetër i vitit 2011 i kryer nga Universiteti i Kolorados në Denver konfirmoi që ata që jetojnë në lartësi të mëdha jetojnë më gjatë.
Mosha e disa prej këtyre njerëzve shekullorë mund të mos jetë e sigurt, por në Lerik populli respekton një sekret të thjeshtë: aktivitetin fizik, ushqimin e mirë, shumë ujë dhe një moto për jetën: Jetojmë vetëm një herë, por nëse e bëjmë mirë, një herë është e mjaftueshme. / La Stampa /



