Kopshti më i ri me pemë në Parkun e Liqenit Artificial do të mbajë emrin e artistes së madhe kosovare, Nexhmije Pagarusha, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë.
Në nderim të veprës së saj, bashkia e Tiranës i ka kushtuar një kopësht që do të mbajë emrin e artistes së madhe, duke mbjellë 100 pemë, edhe me ndihmën e një grupi artistësh nga Kosova.
Artistë të dashur për publikun, nga Kosova, si Sabri Fejzullahu, Shyrete Beluli, Shpresa Gashi, Enkeleda Arifi, Violeta Kukaj, Learta Jakupi, Majlinda Kelmendi, Valbona Petrovci, Shemsie Dermaku, Aferdita Hoxha, iu bashkuan kryebashkiakut Erion Veliaj, në mbjelljen e pemëve në “Kopshtin Nexhmije Pagarusha”.
Kohë më parë, bilbili i Kosovës dhe mbretëresha e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, ishte nderuar nga Bashkia e Tiranës me “Çelësin e Qytetit”, në shenjë mirënjohje për gjithçka ajo ka bërë për muzikën dhe artin shqiptar, si simbol i pakontestueshëm i artit, kulturës edhe i asaj çka përfaqëson Shqipëria dhe shqiptarët.



