
Janë rreth 100 foto në dimensione të mesme dhe të mëdha, që rrëfejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e shoqërisë shqiptare gjatë viteve 1981-1991 dhe që vijnë të ekspozuara në një ekspozitë të titulluar ““FUNDI. FILLIMI Shqipëria 1981-1991”.
Bëhet fjalë për punë të fotografit francez Michel Setboun, të çelur këto ditë në Tiranë dhe që pasqyrojnë varfërinë ekonomike, shtypjen politike e shoqërore të shqiptarëve gjatë viteve ’80, paradat komuniste, sloganet politike, gruan shqiptare, fëmijët dhe nxënësit e shkollave, eksodin shqiptar dhe anijet e tejmbushura në portin e Durrësit, vizitën e para të Nënë Terezës në Shqipëri, zgjedhjet e para pluraliste në vitin 1991, ringjalljen e fesë në Shqipëri pas rrënimit të institucioneve fetare të të gjitha feve dhe shpalljes sëShqipërisë si i pari vend ateist në botë në 1967, gjendjen tronditëse në qendrat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, dasmat në Shqipëri, zbulimin dhe përballjen me kapitalizmin etj.
Kjo është ekspozita më e madhe retrospektive e këtij artisti dhe fotoreporteri në Shqipëri dhe fokusohet në një dekadë dramatike mbushur me ngjarje të jashtëzakonshme për historinë shqiptare të shek. XX.
Setboun e ka vizituar Shqipërinë për herë të parë në 1981, me ndihmën e shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri, në kohën kur punonte si fotoreporter për agjencinë SIPA, duke u rikthyer më pas sistematikisht në vitet në vazhdim. Arkivi i tij fotografik mbi Shqipërinë ka mijëra fotografi dhe është i një rëndësie tejet të veçantë, historike dhe artistike. Ekspozita e tij vjen nën kurimin e Genti Gjikolës dhe Eleana Zhakos.



