
“Melodia e Lirisë” është koncerti që do të mbahet sonte në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të shënuar 80 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë dhe 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Koncerti organizohet nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Komunën e Prishtinës, ka bërë të ditur ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Përshëndetje miq në Prishtinë e kudo në Kosovë! Dëshiroj t’ju ftoj në një mbrëmje magjike ditën e mërkurë datë 29 maj 2024 ora 19.30 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë.
Me shije kombëtare e ndërkombëtare ky koncert do të jetë nën shoqërimin e Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ka vijuar Malaj.
Në vitin e 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë sjell këtë mbrëmje koncertin ‘Melodia e Lirisë’ me shije muzikore kombëtare e ndërkombëtare.
Malaj ka ftuar të gjithë që të marrin pjesë në koncert për të përjetuar një mbrëmje magjike me ritme të gjalla, melodi të mrekullueshme dhe emocione të forta.




