
Ka nisut edicioni i 74-të i Festivalit të Filmit të “Cannes” në Francë dhe për të dhjetin vit me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës është prezente me pavijonin e saj në tregun më të madh të filmit në botë, “Marche Du Film”.
Kosova për herë të parë do të shfaq dy premiera filmash në këtë festival.
Filmat të cilët do ta kenë premierën në këtë festival prestigjioz është filmi i gjatë artistik “Luaneshat e Kodrës”, i Luana Bajramit, që është një bashkëprodhim me shtetin francez dhe do të shfaqet në programin “Director’s Fortnight”.

Pos “Luaneshat e Kodrës”, premierë brenda “Cannes”, do të ketë edhe filmi “Pa vend” nga Samir Karahoda, i cili garon për “Palmën e Artë”.

Në anën tjetër, në pavijonin kosovar brenda Festivalit të Filmit “Cannes”, Qendra Kinematografike e Kosovës do të promovoj filmat e fundit nga Kosova në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit.
Shtandi i Kosovës gjendet në Village International Riviera – Pavilioni Nr. 128.



