Evropa po dyfishon përpjekjet për të forcuar "sovranitetin" e saj në fusha që variojnë nga shëndetësia tek mbrojtja, por një fushë që ka mbetur jashtë vëmendjes është ajo që lidhet me atë se çfarë po shikojnë evropianët në ekranet e tyre.
Gjatë dekadës së fundit, platformat e transmetimit në SHBA si Netflix, Amazon Prime, Disney+ dhe HBO Max kanë mbledhur dhjetëra miliona abonentë në të gjithë Bllokun. Transmetuesit kombëtare janë sfiduar dukshëm.
Politikanë të BE-së, si presidenti francez Emmanuel Macron, kanë bërë thirrje që Evropa të përgjigjet duke hedhur idenë e një ekuivalenti të sajin përballë Netflix-it. Por deri tani, këto propozime kanë rënë në vesh të shurdhër.
Megjithatë, Bruno Patino, kreu i transmetuesit publik franko-gjerman Arte, beson ende në vizionin e Macron. Patino thotë se nevoja për një mega-platformë që do t’i bashkojë europianët rreth historive dhe ëndrrave të përbashkëta është e nevojshme më shumë se kurrë mes luftës në Ukrainë dhe zgjerimit të ndarjeve Lindje-Perëndim.
"Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, ekziston njëfarë bindjeje se ne duhet të kemi prodhime të mediave evropiane që bartin idenë e demokracisë evropiane, të kulturave dhe vlerave të ndryshme - dhe kjo nevojë tani po ndihet shumë më fort se më parë," ai tha për POLITICO.
Arte është në pozicionin më të mirë për të përmbushur këtë vizion, thotë Patino. Jo vetëm se është rrjeti kulturor evropian më jetëgjatë, por ai thotë se ka më shumë përvojë se çdo tjetër në navigimin e sistemit kompleks të të drejtave të bllokut për të prodhuar dhe ofruar përmbajtje për një gamë të ndryshme audiencash të BE-së.
I lindur pas rënies së Murit të Berlinit mes frikës se ribashkimi gjerman mund të copëtonte Evropën, Arte mori jetë në 1992 nga ish-presidenti francez François Mitterrand dhe ish-kancelari gjerman Helmut Kohl. Deklarata themeluese përfshin një mandat për të "forcuar mirëkuptimin dhe unitetin midis popujve evropianë".
Në praktikë, kjo nënkupton ofrimin e përmbajtjes në gjashtë gjuhë në platformën e saj në internet, arte.tv, transmetim në pesë vende të BE-së plus Zvicrën dhe arritjen e marrëveshjeve të bashkëprodhimit me partnerë në 11 vende.
Kjo pikë e fundit është ajo në të cilën Patino këmbëngul kur diskuton të ardhmen e Arte-s. Ndërsa rrjeti është më i njohur për dokumentarët gjithëpërfshirës të udhëtimeve, departamenti i produksioneve ka një dorë në dhjetëra bashkëprodhime evropiane, duke përfshirë "Occupied", një thriller norvegjez me një skenar hipotetik të pushimit të Norvegjisë nga Rusia në mes të një krize energjetike.
Patino thotë se rrjeti po rrit ritmin e këtyre bashkëpunimeve ndërkufitare, duke nënshkruar së fundmi marrëveshje partneriteti me transmetuesit kombëtarë në Lituani dhe Spanjë.
"Arte ka gjithçka që i nevojitet për t'u bërë një platformë e madhe evropiane," shtoi ai.
Gjithçka, përveç parave.
Krahasuar me 17 miliardë dollarë që Netflix shpenzoi për përmbajtje në 2021, buxheti prej 141.6 milionë eurosh i Arte për të njëjtin vit është si raporti i Davidit me Goliathin. Praktikisht, Arte ka një buxhet që qëndron shumë më poshtë kostos së një sezoni të "Stranger Things".
Arte nuk ka abonentë apo reklamues dhe mbështetet në një përzierje të financimit të taksapaguesve, sponsorizimit dhe të ardhurave nga shitja e të drejtave të shpërndarjes. Patino thotë se nuk ka plane për të filluar tarifimin për aksesin dhe Arte do të mbetet "falas për të gjithë".
Shikueshmëria e kanalit në TV, kryesisht me bazë në Francë dhe Gjermani, është vetëm një pjesë e shikueshmërisë së Netflix. Dhe ndërsa transmetuesit amerikanë vërshojnë me produksione të mëdha, si "Squid Game", në sa më shumë tregje të jetë e mundur menjëherë, Arte mbahet në një orar kufizues të publikimeve televizive për prodhimet e saj të mëdha.
Edhe pasi shfaqjet bëhen të aksesueshme në internet, ato shpesh nuk mund të shihen gjerësisht. Sektori audioviziv i Evropës është i lidhur me konceptin e "territorialitetit", me anë të të cilit të drejtat për një vepër të caktuar shiten dhe vihen në dispozicion vetëm në vende të caktuara, duke kufizuar shkallën e publikimeve dhe aksesin e përmbajtjes evropiane.
Në vend të kësaj, ai thotë se Arte duhet të rrisë atë që po bën tashmë - duke rritur buxhetin e saj për bashkëprodhimet me transmetuesit kombëtarë, të cilët përfundimisht do të gjenerojnë më shumë të ardhura për të gjithë ata. Ai dëshiron të rinegociojë financimin e rrjetit me institucionet e BE-së dhe të kalojë nga një buxhet vjetor në një kornizë shumëvjeçare.
Patino thotë se politikëbërësit e BE-së po e marrin mesazhin. Ai shënoi takimet e fundit me Komisionerin e Tregut të Brendshëm, Thierry Breton dhe Komisioneren e Kërkimit, Mariya Gabriel, si dhe takimet me komitetin CULT të Parlamentit Evropian, si dëshmi të një interesi më të madh për një platformë të BE-së. Një zëdhënës i Breton nuk komentoi takimet, por tha se komisioneri mbështet misionin e Artes.
"Ne mund të shohim se, me Bashkimin Evropian, interesi [për të ardhmen e Artes] është intensifikuar shumë," tha ai.
/ Politico.eu /



