
Sot shënohet 115-vjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës, shenjtores shqiptare me famë botërore.
Me këtë rast, në sallën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare u çel një ekspozitë filatelike dhe biografiko-historike, pjesë e koleksionit privat të koleksionistit të njohur Hysen Dizdari.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe studiuesi nga Kosova, Anton Nikë Berisha, autor i mbi 150 veprave për letërsinë shqipe dhe 27 veprave të dedikuara jetës dhe veprës së Nënë Terezës.
Berisha i dhuroi Bibliotekës Kombëtare kolanën e tij studimore mbi Nënë Terezën, e cila përfaqëson një kontribut të çmuar për njohjen e figurës së saj përmes kujtesës kulturore dhe historike.
Takimi u moderua nga zv.drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Majlinda Toçi, ndërsa ekspozita ngjalli interes të veçantë te studiuesit, kritikët, dhe grupe të tjera të interesit.



