Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka shpalosur synimin e saj për tu shndërruar në një kompleks të mirëfilltë kulturor.
Projekti që e shndërron DPA-në në një qendër shumëfunksionale edukimi, duke i bashkëngjitur asaj një Muze Arkivor, një teatër/kinema të hapur dhe një hapësirë studimi rekreative u prezantua gjatë një aktiviteti me pjesëmarrjen e dhjetërave studentëve dhe nxënësve të Tiranës. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, kreu i DPA-së, Ardit Bido, historianet Valentina Duka, Pranvera Dibra, Esmeralda Kolaneci dhe një grup akademikësh.
Bido teksa prezantonte idetë thelbësore të këtij projekti tha se Arkivi duhet të shkojë pranë rinisë.
Sivjet ndamë mendjen për të qenë së bashku me studentë për të prezantuar dy projekte madhore. Është Arkivi që duhet të shkojë pranë rinisë, me mediumet që duhen. Në praninë tuaj, studentë të nderuar, zëvendëskryeministrja Balluku, profesoresha, prezantojmë një projekt jokonvencional, i cili ka si lajtmotiv se Arkivi zotëron gjithçka. Përmes arkivave mund të prezantojmë jo vetëm historinë e vendit tonë, por edhe atë të jetës shoqërore të vendit. Në këtë hapësirë nuk kemi si qëllim vetëm studiuesit, por të gjithë qytetarët që përveçse ju ofrohet një alternativë kulturore, mund edhe të zbaviten.
Sipas projektit të DPA-së në ambientet e Muzeut Arkivor, vizitorët jo vetëm do të mund të mësojnë mbi të kaluarën e vendit, por do të arrijnë të vihen në kontakt me të. Muzeu do të mund t’i qaset si risi grupmoshave të reja, në sajë të teknikave interaktive që ndërthurin novacionin me historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare. Po ashtu Muzeu mund të shërbejë edhe si një pikë atraksioni për turistët.
Përgjatë dyshemesë, do të gjenden të shkruara në xham shprehje të shkurtra të personaliteteve shqiptare më të rëndësishme në histori. Në qendër do të jenë të vendosur ekzibitorë elektronikë dhe joelektronike, të cilët do të tregojnë të kaluarën historike përmes një komponenti arkivor. Në kënd, do të gjenden ekzibitorë të tjerë që do të përcjellin histori njerëzore të shoqërisë sonë. Ndërsa, në formën e një ombrelle elektronike, do të shfaqen në pjesën e sipërme të dhëna mbi veprimtarinë e institucionit.



