
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij Shqipëri (CHëB Albania) kanë nisur nga puna për aplikimin e një prej nismave me mjaft rëndësi në fushën e trashëgimisë kulturore, kartelizimi digjital i pasurive kulturore.
Projekti zbatohet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur midis IKTK-së dhe CHwB-së dhe parashikohet të zgjasë për një periudhë dy-vjeçare.
Përditësimi i formatit të kartelave ekzistuese të pasurive kulturore, me qëllim përpilimin e të dhënave për vlerësimin e gjendjes së konservimit të tyre në format databazë digjitale, do të nisë fillimisht me qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës, për të vijuar më tej edhe me drejtoritë e tjera.
Projekti do të përfshijë trajnimin e stafeve të DRTK-ve që do të angazhohen në këtë proces.
Gjithashtu, studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Urban, do të përfshihen në procesin e përditësimit të informacionit në terren mbi gjendjen ekzistuese të pasurive kulturore, nëpërmjet praktikave studentore.
Ky projekt është një hap konkret që do të bëjë të mundur përditësimin dhe digjitalizimin e bazës së të dhënave të pasurive kulturore në të gjithë vendin.



