
Gruaja që na qetëson sa herë që ndjejmë lëkundje, veçanërisht pas tërmetit tragjik të 26 nëntori, Luljeta Bozo, vjen me një libër jo për të dhënë dije në profesionin e saj të inxhinieres, por ku rrëfen historinë e saj e jetës së saj dhe të dashurisë me bashkëshortin e ndjerë, kineastin Todi Bozo.
Me “Një jetë me ty - të pandarë” Bozo rrëfen për herë të parë jetën në një libër mbushur me kujtime, projekte e shumë dashuri.
"Me njëri-tjetrin kishim një lubrifikues të mahnitshëm që ishte dashuria, respekti, harmonia, kujdesi dhe sakrifica për çdo pjesëtar të familjes. Dashuria është ajo lëndë magjike që të bën të shohësh gjithçka me ngjyra të bukura, me dritë e ta jetosh jetën të plotë. Vetëm dashuria dhe energjia pozitive e mban kaq gjatë e kaq të fortë një marrëdhënie të tillë”, është një pasash i shkëputur prej tij.
Profesoresha e njohur 78-vjeçarje që vazhdon të përgatisë breza të tërë inxhinierësh, ka treguar se puna ka qenë një nga sekretet e marrëdhënies së saj shumë mirë me bashkëshortin.
“Nuk besoj në fat, por isha fat për diçka ku besoj, tek martesa. Fati im shumë i madh është që gjeta një shok ideal. Që më kuptonte pa folur fare, që kishte një kujdes të veçantë. Kam bërë një jetë shumë të plotë me Todin. Një sekret shumë i madh është edhe puna. Ka qenë shumë i zënë, mungonte nga shtëpia, por kur vinte gjente një mjedis të plotë familjarë. Kam kaluar dy momente të vështira kur pata super ngarkesë kur punoja 12 orë në ditë, kalova një ezaurim fillestar. Por e kapa shpejt situatën, një javë stop punës, në ajër të pastër. Kur ke punën nuk ke kohë të merresh me cic-mice të kota. Duhet ta bëj mjedisin brenda në familje, të krijosh mjedis sa më të ngrohtë, që është meritë e të dyve por më shumë e gruas. Që njeriu mezi të presë të shkojë në shtëpi. Kur nuk ka punë, kur nuk ka qëllime të përbashkëta në jetë për të arritur diçka, shterojnë edhe diskutimet”, rrëfeu Luljeta Bozo pak muaj më parë në një intervistë ndryshe.



