Presidenti Ilir Meta ka mbetur i impresionuar mbrëmë nga koncerti i violinistit shqiptar, Olen Cesari dhe grupit të tij “International Clandestine Orchestra”. Këtë impresion, Meta e shfaqi përmes një postimi në rrjetet sociale. Teksa ndan përshtypjet e tij, Meta shkruan se Cesari dhe grupi i tij i dhuruan Tiranës një natë magjike dhe festë të jashtëzakonshme.
Ndër të tjera, Kreu i Shtetit shprehet se violinisti i madh shqiptar është një ambasador i shkëlqyer i kulturës dhe i shpirtit artistik shqiptar.
“Me shumë emocion ndoqa mbrëmë koncertin e violinistit të madh shqiptar, Olen Cesari, që i shoqëruar nga grupi i tij “International Clandestine Orchestra” dhe artistë me famë botërore, i dhuroi Tiranës një natë magjike dhe një festë të jashtëzakonshme. Olen Cesari është padyshim një ambasador i shkëlqyer i kulturës dhe i shpirtit artistik shqiptar në botë.
“Paganini shqiptar”, me madhështinë e talentit të tij, na bën të ndihemi të gjithë krenarë.
Lajm i mirë për të gjithë ju që e humbët dje koncertin është se ai rikthehet sot në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve.”-shkrun Meta në Facebook.



