
Sheena Scott
Filmi i ri i Adam McKay, Don't Look Up, i shfaqur në Netflix më 24 dhjetor, është ngjitur në vendin e parë të 10 shfaqjeve më të mira të transmetuesit në shumë vende. Me një kast aktorësh të njohur, përfshirë Leonardo DiCaprio, Jennifer Laërence, Jonah Hill, Meryl Streep dhe Cate Blanchett, Don't Look Up është një satirë efektive që pasqyron gjendjen e shoqërisë sonë sot.
Don't Look Up fillon si çdo film tjetër në skenar të bazuar në një katastrofë. Një studente e re doktorature, Kate Dibiasky (e luajtur nga Jennifer Lawrence) ndërsa monitoron qiellin, bën një zbulim. Ajo zbulon një kometë. E emocionuar nga gjetja e saj, ajo e thërret profesorin e saj Dr. Randall Mindy (luajtur nga Leonardo DiCaprio) dhe bashkëmoshatarët e saj. Së bashku, ata llogaritin trajektoren e kometës që merr emrin e saj dhe zbulojnë se ajo po vinte drejt Tokës. Ka vetëm gjashtë muaj kohë deri në goditjen fatale. Ndryshe nga filmat tradicionalë të katastrofave globale, në "Mos shiko lart", fjalët e paralajmërimeve nga Kate dhe Dr. Mindy për apokalipsin e afërt bien në vesh të shurdhër. Presidentja e Shteteve të Bashkuara (rol i luajtur nga Meryl Streep) dhe djali i saj dhe shef i Shtabit, Jason (i luajtur nga Jonah Hill), janë më të interesuar për fushatën presidenciale. Mediat, të përfaqësuara nga një emision optimist në mëngjes i quajtur The Daily Rip, i drejtuar nga Brie (luajtur nga Cate Blanchett) dhe Jack (luajtur nga Tyler Perry), janë më të interesuara të krijojnë zhurmë sesa të transmetojnë informacion. Njerëzimi po shkon drejt fundit.
Adam McKay e shkroi këtë film duke pasur parasysh ndryshimin e klimës. Ndërkohë, ndodhi pandemia dhe gjithçka që ai shkroi u realizua në një farë mënyre. Filmi i bën jehonë aq shumë asaj që ne të gjithë kemi përjetuar gjatë dy viteve të fundit. Klasa politike joefektive është shumë e shqetësuar për ecurinë e vet, saqë nuk e ka mendjen çfarë duhet bërë për të shpëtuar jetë. Mohohen provat shkencore nga ata që nuk kanë formim shkencor. Një shoqëri që është shumë e ngadaltë për të reaguar ndaj rrezikut real sepse vëmendjen e ka te thashethemet e të famshmëve dhe argëtimi optimist.
Me kastin plot emra të njohur, shfaqjet në Don't Look Up janë të përsosura. Dr. Mandy që luhet nga DiCaprio ngrihet nga profili i profesorit nervoz para kameras për të folur në publik me një njeri të sigurt që drejton emisione prej vitesh. Kate është një shkencëtare e re dhe plot besim, mesazhi i së cilës errësohet shpejt nga memet që e portretizojnë si budallaqe. Cate Blanchett është si gjithmonë e shkëlqyer në rolin e një gazetareje të stërkualifikuar, e cila josh profesorin nervoz të universitetit pa e vrarë mendjen për gruan e tij. Roli i Ariana Grande si superylli Riley Bina, më e shqetësuar për marrëdhënien e saj të trazuar me DJ Chello (luajtur nga Scott Mescudi) sesa për ndonjë kometë që shkatërron planetin, është gjithashtu i shkëlqyer. Presidentja e luajtur nga Meryl Streep, me djalin e saj, Shefin e Shtabit Jason, ka jehonë me realitetin. Filmi e tregon atë ndërsa mbledh mbështetësit, mban në kokë kapele bejsbolli, duke u thënë atyre të mos u besojnë shkencëtarëve kur thonë se një kometë do të godasë Tokën.
Por përtej politikës, ndryshimeve klimatike dhe pandemive globale, ajo që më bëri të mendoj ky film është mënyra sesi ne të gjithë përballemi me vdekjen, ose perspektiva e vdekjes dhe kërcënimi i saj i afërt – ndoshta kërcënimi nuk është fjala e duhur, por më tepër pashmangshmëria e saj. Secili prej nesh ka mënyrat e veta për ta pranuar vdekjen. Disa dëshpërohen, disa e pranojnë, disa përpiqen të gjejnë një mënyrë për ta luftuar atë, ta pushtojnë, ta mposhtin, ndonjëherë në dëm të të tjerëve, ndërsa të tjerë e injorojnë duke preferuar të shpërqendrohen përmes argëtimit, të tjerë e mohojnë ose mendojnë se kjo mund t’i ndodhë vetëm me dikujt tjetër dhe jo atij dhe refuzon ta pranojë. Si e përballoni vdekjen kur e dini se ajo po vjen? Kjo është ndoshta e vetmja pikë që filmi nuk arrin ta portretizojë në mënyrë efektive, tepër i shqetësuar me absurditetin e politikës që e rrethon.
/ Forbes /



