
Në kuadër të “Muajit të fotografisë”, Ministria e Kulturës, ka zgjedhur për të përkujtuar sot artin e fotografit të njohur nga Shkodra, Kel Marubi.
Fotoja e një gruaje me shpinën të zbuluar, realizuar në vitin 1927, nga artisti i fotografisë, Kel Marubi, është fotoja e ditës, prezantuar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Kel Marubi mbajti gjallë dinastinë Marubi”, shkruan ministrja Margariti.
Mikel Kodheli, me emrin e artit Kel Marubi, filloi të punonte që fëmijë si ndihmës në studion e Pietro Marubit, bashkë me vëllanë e madh Matinë.
Pas vdekjes së mjeshtrit (1903), ai trashëgon studion dhe mjeshtërinë e fotografisë, e për nder të mjeshtrit mban edhe mbiemrin e tij.
Kel Marubi la si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 34000 negativë në xham të përmasave të ndryshme.



