Pazari i Vjetër i Shkodrës, një nga pjesët më të rëndësishme të historisë së qytetit, do të rikthehet edhe një herë për publikun.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka nisur punën për të sjellë një përvojë të veçantë, përmes së cilës vizitorët do të kenë mundësinë të shohin dhe të përjetojnë Pazarin e Shkodrës të shekullit XIX, siç ka qenë në vitet e hershme.
Projekti është ndërtuar duke u mbështetur në foto dhe materialet historike të ruajtura në arkivin e Muzeut “Marubi”, duke rikthyer në vëmendje çdo detaj si rrugët, ndërtesat dhe atmosferën e një pazari që sot nuk ekziston më.
Kësaj here, historia nuk do të mbetet vetëm në fotografitë e vjetra. Publiku do të mund të hyjë në të dhe të udhëtojë përmes qytetit të Shkodrës por në vitet e të së kaluarës.
Eksperienca do të prezantohet fillimisht në KubFranceShkodra, pranë Muzeut “Marubi”, për të vijuar më pas edhe në rrjetin francez Micro-Folie.
Një Pazar i humbur prej dekadash rikthehet kështu para syve të publikut, duke i dhënë Shkodrës mundësinë të shohë edhe një herë një pjesë të vyer të historisë së saj.



