Regjisori dhe aktori i njohur fiton çmimin “Emmy” pas vdekjes për rolin e tij të fundit në "The Bear"

Regjisori dhe aktori i njohur fiton çmimin “Emmy” pas vdekjes për rolin e tij të fundit në "The Bear"

Nëntë muaj pas ndarjes tragjike nga jeta, ikona e Hollivudit, Rob Reiner, është nderuar pas vdekjes me çmimin prestigjioz “Emmy”. Vlerësimi erdhi për performancën e tij të jashtëzakonshme në dramën e suksesshme të kuzhinës të FX, "The Bear".

 

Fituesi i kategorisë "Aktori më i mirë i ftuar në një serial komedi" u shpall mbrëmjen e së dielës gjatë ceremonisë "Creative Arts Emmys". Ky aktivitet dyditor, i mbajtur në Teatrin Peacock në qendër të Los Angeles, vlerëson artistët dhe artizanët e industrisë televizive, një javë përpara mbrëmjes kryesore gala. 

 

Reiner, i cili la gjurmë të pashlyeshme në kinematografi si regjisor i filmave klasikë si “The Princess Bride”, “When Harry Met Sally”, “This Is Spinal Tap” dhe “Misery”, mori një duartrokitje të gjatë dhe emocionuese në këmbë nga miqtë dhe kolegët e pranishëm në audiencë. 

 

Kjo mirënjohje e lartë vjen pas një ngjarjeje të rëndë që ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar. Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij prej katër dekadash, Michele Singer Reiner, u gjetën pa jetë nga vajza e tyre në shtëpinë e çiftit në Brentwood, Los Angeles. 

 

Për këtë ngjarje të rëndë është akuzuar djali i tyre, Nick Reiner, i cili dyshohet se ka qëlluar me thikë prindërit e tij. Ai është deklaruar i pafajshëm përpara gjykatës dhe procesi ligjor ndaj tij vazhdon. 

 

Në atë që shënoi paraqitjen e tij të fundit televizive, Reiner luajti në sezonin e katërt të serialit "The Bear", ku interpretoi rolin e një konsulenti biznesi bamirës. Personazhi i tij korri një sukses të menjëhershëm te fansat kur episodet u transmetuan në verën e vitit 2025. 

 

Ky sukses ngjalli shpresat se Reiner mund të kthehej edhe për sezonin e pestë, por gjithçka u ndërpre në mënyrë tragjike nga vdekja e tij e parakohshme. Në garën për çmimin e "aktorit më të mirë të ftuar", Reiner triumfoi përballë emrave të njohur të ekranit si Michael J. Fox dhe Brett Goldstein (për serialin "Shrinking"), Hamish Linklater ("Widow's Bay"), Christopher McDonald ("Hacks") dhe Connor Storrie ("Saturday Night Live"). 

 

Rob Reiner do të kujtohet gjithmonë si një artist që sfidoi kufijtë e artit dhe ndryshoi përgjithmonë industrinë e filmit me kreativitetin dhe talentin e tij të gjithanshëm.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy