Është ndarë nga jeta piktori Ali Oseku. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Tiranës pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Oseku lindi në Tiranë në vitin 1944, në një familje me origjinë nga Gjakova.
Liceun artistik e mbaron në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Pas studimeve, artisti fillon punë si skenograf në TOB.
Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979.
Pas kësaj periudhe, artisti punon si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit. Pas viteve ’90, do ishte një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase.
“Një mjeshtër i pazëvendësueshëm i ngjyrave dhe formave dhe i një pune plot pasion dhe talenti të jashtëzakonshëm! Krijimtaria e Prof. Osekut, është burim frymëzimi dhe pjesë e një trashëgimie kulturore që nuk vdes kurrë, e cila do të vijojë të ndriçojë rrugën e artit për brezat e ardhshëm. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve!”, është mesazhi që shpërndau në rrjetet sociale ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.



