
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare po zhvillon edicionin e 40-të në Prishtinë.
Në punimet e këtij seminari, dita e sotme i kushtohet arbëreshëve me pjesëmarrjen e drejtores ekzekutive të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastratit dhe disa prej studiuesve të qendrës, të cilët do të paraqesin kumtesa dhe referime mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën arbëreshe.
Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, theksoi se vlera e seminarit është e madhe.
“Ky seminar është i madh jo vetëm nga numri i studentëve që marrin pjesë, por edhe nga rëndësia dhe tematikat që do të shtjellohen.
Në tryezën e parë të organizuar me këtë rast ka referuar Diana Kastrati, drejtore ekzekutive e Qendrës për Studime e Publikime për Arbëreshët si dhe disa prej studiuesve të Qendrës.
Ata kanë paraqitur kumtesa dhe referime mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën arbëreshe.
Mes referuesve ishin Dhori Qirjazi, Merita Bruci, Genc Lafe, Silvana Nini e Jolanda Lila e të tjerë.
Tema “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”, u trajtua nga bashkëdrejtuesja e seminarit, Dhurata Shehri dhe nga Persida Asllani.
Në këtë edicion jubilar të Seminarit u ndanë mirënjohje për të gjithë ish-drejtorët dhe bashkëdrejtuesit e këtij seminari, të cilët më punën e tyre e bënë të mundur që Seminari të jetë kaq jetëgjatë. Bashkëdrejtuesja e seminarit, Dhurata Shehri, theksoi se këtë seminar e mbajti gjallë sidomos këmbëngulja për të njohur veten dhe për t’ua zbuluar atë të tjerëve.
Edicioni i 40-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare i mbyll punimet më datë 26 gusht.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (dikur Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.



