
Ka nisur sot punimet konferenca studimore “Poliedriku Ernest Koliqi në 120-vjetorin e lindjes”, e organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë (ASA), në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në sallën “Europa”.
Në fjalën hapëse, drejtoresha ekzekutive e QSPA, prof. Diana Kastrati falënderoi pjesëmarrësit e pranishëm në këtë konferencë dhe theksoi rëndësinë dhe peshën e poliedrikut Ernest Koliqi. Studiuesi Ardian Ndreca ka çelur siparin e kumtesave në konferencën: "Poliedriku Ernest Koliqi në 120-vjetorin e lindjes" me prezantimin e një romani të panjohur të këtij romani.
Romani titullohet "Odore di popolo" dhe është shkruar në gjuhën italiane. Edhe pse romani nuk është përfunduar, ai sjell një kontribut shumë të rëndësishëm të veprave në gjuhë të huaj të shkrimtarëve shqiptarë. Libri përmban 135 faqe dhe është shkuar në vitin 1956.
Ngjarjet e romanit janë analizuar nga studiuesi Ndreca si përkime me vetë jetën e Koliqit, sepse trajtohen ngjarje historike dhe dukuri sociale e kulturore të Shqipërisë së vitit 1936. Ky roman pritet të vijë së shpejti në gjuhën shqipe, nën përkthimin e studiuesit Ardian Ndreca.
Ernest Koliqi është një figure poliedrike: shkrimtar, studiues, publicist, përkthyes, misionar i kulturës arbëreshe, themelues i Institutit të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë, si dhe themelues i shumë veprimtarive e veprave monumentale.
Pritet që kjo konferencë shkencore të sjellë të dhëna të reja që nxjerrin në pah rolin që pati figura e Ernest Koliqit në përndritjen e letërsisë e të kulturës shqiptare në përgjithësi dhe të universit arbëresh në veçanti, duke ndikuar në shumë forma për ringjalljen e ndërgjegjes së identitetit etnik.




