Profesor Romeo Gurakuqi, për librin e tij “Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939-1946” thotë se i përket edhe dy viteve pas përfundimit të luftës. Në studion e emisionit “Arnautistan” në MCN Tv, deklaroi se Shqipëria ka qenë një vend i pushtuar nga Italia dhe elita që bashkëpunoi haptazi me autoritetet italiane të pushtimit, nuk kanë pasur ndonjë tagër në vendimmarrjet që realizoheshin me dritëshkurtësi në pallatin e pushtetit në Romë. Për largimin e Ahmet Zogut, ai tha se mbreti ka qenë në dilemë dhe është larguar në datë 7 prill në mesditë dhe kjo kuptohet nga letrat e të afërmve dhe raporte të zbardhura. Gurakuqi shtoi se praktikisht ne jemi një vend që e kemi treguar herë pas here se nuk arrijmë të bëjmë rezistencë të organizuar, nuk jemi efiçentë në ndërtimin e shtetit. “Rezistenca e bërë në 7 prill, ishte vetëm në sajë të rezistencës së një njeri në 7 prill. Britanikët nuk i kanë njohur tentativat për të krijuar një qeveri të ngjashme si vendet fqinje me qeveri në migracion. Vendet fqinje kanë bërë rezistencë, rasti i Shqipërisë është ndryshe, nuk është njohur as nga britanikët dhe as amerikanët, për krijimin e një qeverie në migracion nën drejtimin e mbretit Zog, si qeveria greke dhe Jugosllave. Është kërkuar nga forcat shqiptare në emigracion dhe nga Fan Noli, por nuk është arritur. Realizimi ka qenë një sipërmarrje e pamundur. Në këndvështrimin e autoriteteve perëndimore refuzimi në një farë mënyre u bë edhe prej largimit të mbretit në prag të pushtimit, por edhe prej ndikimit të vendeve fqinje në diplomacitë e huaja dhe kryesisht në atë britanike, në mënyrë që të mos kishte një qeveri në emigrim që do të merrte pushtetin pas largimit të ushtrisë gjermane.” Gurakuqi tha se Ahmet Zogu nuk ka pasur kontakt me trupat pushtuese, por se ka pasur kontakt me autoritetet britanike që merreshin drejtpërdrejtë me Shqipërinë. Në këtë linjë shtoi se Zogu ka qenë në kontakt me Abaz Kupin, nëpërmjet britanikëve, ndërsa saktësoi se Abaz Kupi ka qenë krahë forcave nacionaliste.



