
Mbretëria e Bashkuar nisi javën e saj me një program kulturor përmes një serie të bisedave, filmave, ngjarjeve muzikore që shpalosin jo vetëm kulturën britanike, por edhe marrëdhëniet me Shqipërinë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, fton për aktivitet të shumta në kuadër të javës britanike.
Nga data 4-10 shtator mikpresim Javën e Kulturës së Mbretërisë së Bashkuar.
Le të shijojmë së bashku filma e koncerte, ekspozita e letërsi nga vendi i një kulture të madhe.
Përmes bisedave, programeve të edukimit dhe të shprehjes së kreativitetit, kjo javë do të jetë e organizuar në vende të ndryshme të Shqipërisë për t’u ndërlidhur edhe më shumë kulturalisht dhe artistikisht.
Java nis me shfaqjen e dokumentarit “Thesaret e Adriatikut – Shqipëria” nga prof. Bettany Hughes, ndërkohë që vet autorja do të jetë ditën e mërkurë në një bashkëbisedim me studentë, në qendrën e artit “Agimi”.
Të tjera qytete ku do të ketë aktivitete të Javës së Kulturës Britanike, do të jenë Kukësi, Peshkopia, Durrësi dhe Korça.
Në kuadër të Javës Kulturore së Mbretërisë së Bashkuar, në Dibër, do të bisedohet mbi mundësinë fantastike për të studiuar ne Mbretërinë e Bashkuar, përmes një takimi që mbahet në Hotel Veri, më 6 shtator prej orës 14:00.
Kultura britanike është shumë ngushtë e lidhur me sportet ndaj do të organizohet edhe turneu i rugby-t në Peshkopi për një lojë plot emocione. Gjithashtu do të vijojmë me një seancë stërvitore për fëmijët 10-15 vjeçare si një prezantim për rëndësinë e sporteve për të rinjtë.
Java e Kulturës së Mbretërisë së Bashkuar, vazhdon deri më 10 shtator.






