
“Roma” është filmi që ka fituar Luanin e Artë në Festivalin e Filmit në Venecia. Filmi me regji të spanjollit Alfonso Cuaron është një produksion i Netflix, çka e rrit reputacionin e kompanisë së transmetimit online në botën e artit kinematografik.
Filmi ka marrë emrin e Romës, një lagje në Meksiko Siti, ku është rritur regjisori dhe shkrimtari Cuaron. “Roma” është një dramë në spanjisht, të cilën kritikët e kanë vlerësuar si të shkëlqyer edhe për shkak të realizimit në bardh e zi.
Në një garë ku vetëm 1 prej 21 filmave të përzgjedhur mban regjinë e një gruaje, “Roma” është një prej disa filmave që fokusohen pothuajse ekskluzivisht te personazhet femra, në rastin konkret nëna e Cuaron dhe dy shërbëtoret që e ndihmuan në rritjen e tij.
Kritikët e kanë quajtur filmin “një zhytje në disa prej imazheve më të bukura bardh e zi që ka prodhuar ndonjëherë kinemaja” dhe një kalim i madh nga filmi aventurë “Gravity” me protagoniste Sandra Bullock, me të cilin regjisori Alfonso Cuaron fitoi çmimin Oscar në vitin 2014.
Triumfi i “Romës” konsiderohet shumë i rëndëishëm për Netflix, i cili kërkon të pozicionohet si forcë e madhe në zhanrin e filmit, pasi bojkotoi festivalin e Kanës në maj për shkak të rregullave që ndalojnë transmetimin njëkohësisht të filmave edhe në platformën online, edhe në kinema.
Një tjetër produksion i Netflix, komedia “Balada e Buster Scruggs” fitoi çmimin për skenarin më të mirë.
Filmi “Favorite”, që njësoj si “Roma” fokusohet te figurat femërore, fitoi çmimin e dytë të jurisë, ndërsa aktorja e tij protagoniste mori kupën Volpi si aktorja më e mirë për portretizimin e mbretëreshës së Anglisë.
Willem Dafoe mori çmimin si aktori më i mirë për portretizimin e Van Gogut në filmin biografik “Në portat e përjetësisë”.
Ndërsa Jeniffer Kent, e vetmja regjisore femër në garë, fitoi çmimin special të Jurisë për “The Nightingale”, një triller hakmarrës që i vendos ngjarjet në Australinë e vitit 1825.



