
Komuniteti i muzeve në mbarë botën shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.
Këtë vit, temë e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve do të jetë “The Power of Museums-Fuqia e Muzeve”.
Dita Ndërkombëtare e Muzeut u jep mundësinë profesionistëve të muzeve të takojnë njerëz dhe t'i informojnë ata rreth sfidave me të cilat përballen muzetë.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Muzeu Historik Kombëtar dhe ICOM Shqipëria organizojnë Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Fuqia e muzeve”.
Konferenca ka si qëllim të nxisë debatin mes muzeologëve.
Kjo konferencë është një nga mënyrat më të mira për shkëmbimin e ideve lidhur me promovimin e muzeve, historisë që ato prezantojnë si dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Ceremonia e hapjes së konferencës fillon në orën 09:30 pranë sallës UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar.
Për nder të kësaj dite, sot hyrja për vizitorët në Muzeun Historik Kombëtar, është pa pagesë prej orës 09:00 - 19:00.
Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve ka themeluar këtë ditë në vitin 1977 për të rritur vetëdijen e publikut për rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë.



