
Akademia Suedeze ka bërë shumë gabime vitet e fundit, dhe njëri nga çmimet e kësaj jave për letërsinë dhënë shkrimtarëve evropianë mund të quhet si I tillë. Por, jo shkrimtarja polake Olga Tokarczuk, e cila është jo vetëm një fituese e shkëlqyer, por edhe një person i kulturës mjaft i rëndësishëm.
Tokarczuk ka fituar medaljen e vitit 2018, e cila u shty pasi juria u përfshi në skandal. Ajo ka qenë një yll në vendin e saj për më se tri dekada, me dy romane të mëparshme të përkthyera në anglisht. Në vitin 2018 ajo bëri hapin e rëndësishëm ndërkombëtar duke fituar çmimin “Man Booker International” me romanin “The Flight” (Fluturimet), i cili u botua fillimisht në polonisht më 2007.
"Ndonjëherë pyes veten se si do të kishte funksionuar jeta ime nëse librat e mi do të ishin përkthyer në anglisht më shpejt, pasi anglishtja është gjuha që flitet në të gjithë botën, dhe kur një libër shfaqet në anglisht bëhet universal, bëhet një botim botëror”, është shprehur autorja në fillim të këtij viti.
Veprat e saj, shumë të vlerësuara nga kritika, kanë shkaktuar jo pak debate e kundërshti.
“Drive Your Plough”, historia e një të moshuare ekscentrike që heton për vrasjet e njerëzve dhe kafshëve në pyje e ndjek aleancën e pushtetit, parasë dhe patriarkatit, u botua pas 10 vjetësh në anglisht. Kur filmi ekspresionist i Agnieszka Holland bazuar në roman, “Pokot”, u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Berlin vitin e kaluar, ai u denoncua nga një agjenci polake e lajmeve si "thellësisht antikristian dhe si promovues i eko-terrorizmit".
Një feministe vegjetariane, ajo jeton me partnerin e saj përkthyes dhe qentë e tyre në një zonë rurale të Silesisë së Ulët që u bë pjesë e Polonisë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Romani i saj më i fundit, “Librat e Jakobit”, tregon historinë e një udhëheqësi fetar të shekullit XVIII, Jakub Frank, i cili drejtoi konvertimin me forcë të ndjekësve të tij hebrenj në islamë dhe katolikë. Kur u botua në vitin 2014, ajo u denoncua si tradhtare pasi guxoi të sugjeronte në një intervistë se Polonia nuk ishte thjesht një mbijetuese e guximshme e shekujve të shtypjes, por kishte qenë edhe vetë një shtypëse e tmerrshme në historinë e saj. Për një kohë, botuesit të saj iu desh të punësonte truproja për të. Megjithatë, shumë e konsiderojnë si kryeveprën e saj. Romani shiti 170 000 kopje dhe fitoi çmimin më të madh letrar të vendit “Nike”, për herë të dytë. /The Guardian/



