
Korça është sërish qyteti mikpritës i Festivalit të Muzikës Internacionale. Për të katërtin vit radhazi “MIK” hap siparin e netëve të aktivitetit kulturor në muajin korrik.
Ideatorja dhe drejtorja artistike e këtij festivali, soprano e njohur Inva Mula bëri të ditura aktivitetet që do të mbahen si një buqetë artistike.
“Ne jemi në edicioni e katërt të MIK festival, i cili pak nga pak po bëhet pjesë e jona shumë e rëndësishme e aktiviteteve artistike. Secili nga ne e gjen vetveten në këtë festival si artist dhe si spektatorë për të qenë pjesë e miqve të Korçës që s’janë vetëm miq për të parë Korçën e bukur, por dhe artin e saj.
Risi e këtij festivali ndryshe nga edicionet e tjera do të jetë dhe zgjerimi i kufijve rajonale, duke shkuar deri në fshatrat turistike të Kolonjës dhe në mrekullitë e liqenit te Prespës.
“Në natën e dytë të MIK festival do të drejtohemi në fshatin turistik të Shelegurit, në Kolonjë duke mbajtur një konferencë për turizmin dhe Trashëgiminë Kulturore. Pasditja do t’i dedikohet sërish Kolonjës në sheshin e kishës në Rehovë. Nata e fundit do të jetë dhe mbyllja e duhur në ishullin e Miligradit, në Prespë ku do të interpretojnë grupi nga Kosova “Zanat” si dhe në orën 17:00 koncert përmbyllës nga Olen Çezari.
Pas më shumë se një viti, ku publikut i kanë munguar aktivitetet kulturore, artistë të njohur shqiptarë e ndërkombëtarë do të mblidhen për të dhuruar katër netë të mrekullueshme.
“Do bëj një koncert në mes të një liqeni. Në këtë koncert do të marr me vete pianistin tim që është krahu im i djathtë dhe një këngëtare lirike. Por kemi qejf të sjellim dhe dy tre pjesë të kolonave zanore të filmave italianë", u shpreh violinisti i njohur Olen Çezari,
Por artistëve nga vendi, edhe artistë nga Greqia, Gjermania dhe Italia do të performojnë përgjatë netëve të festivalit duke promovuar vlerat artistike.
Për katër netë me radhë, duke filluar nga data 22 korrik deri më 25 korrik qyteti juglindor dhe fshatrat përreth do mbështillet nga tingujt e muzikës ndërkombëtare dhe vendase.



