
Fshati i njohur për turizmin dhe kulinarinë, Fishta e Lezhës, do të jetë mikpritësi i një atmosfere të veçantë artistike që do të krijohet çdo mbrëmje.
E titulluar “Hambar Teatri”, kjo nismë e re synon të kthejë hapësirat tradicionale të fshatit në vende takimi për muzikën, poezinë, rrëfimet dhe artistët.
Në natën e parë të këtij aktiviteti, të pranishmit shijuan performancën e artistëve të njohur Vlashent Sata dhe Antonio Fjerca, të cilët dhuruan një mbrëmje me emocione të veçanta.
Kjo nismë është ndërmarrë vullnetarisht nga sipërmarrës dhe banorë vendas, me synimin për t’i dhënë më shumë gjallëri zonës së Zadrimës.
Përmes artit dhe kulturës, projekti synon të krijojë më shumë mundësi argëtimi dhe bashkëveprimi për banorët, vizitorët e shumtë dhe turistët e huaj që zgjedhin Fishtën gjatë gjithë vitit.
Sipërmarrësi Altin Prenga dhe fermeri Nard Koleci, dy nga mbështetësit e kësaj ideje, theksuan rëndësinë e rigjallërimit të jetës në fshat përmes ndërthurjes së traditës me artin kontemporan.
Mbrëmjes së parë iu bashkuan dhjetëra vizitorë, të cilët e vlerësuan nismën si një mënyrë origjinale për të përjetuar jetën rurale.
“Hambar Teatri” do të jetë i pranishëm në Fishtë çdo mbrëmje për disa muaj me radhë, duke u kthyer në një pikëtakim të rëndësishëm ku muzika, arti dhe njerëzit bashkohen.



