
Në prag të festës së Shën Valentinit, romani "Jo thjesht rastësi" i shkrimtares Rebeça Yarros, një autore bestseller në SHBA, vjen në libraritë e vendit.
Botuesja Loreta Berhami, e ftuar në “MCN Informacion,” e cilëson librin si një romancë të bukur që mund të jetë një dhuratë e këndshme për këtë festë.
Berhami tregon historinë dhe personazhet e librit dhe pohon se ky roman sjell në vëmendje faktin që duhet të reflektojmë për domethënien e jetës dhe për rastësitë që ajo sjell.
Është një roman që i përket zhanrit të letërsisë romantike dhe është i përshtatshëm për këtë periudhë të vitit, pasi nesër është Shën Valentini, muaji i dashurisë, dhe është pjesë e traditës së botimeve "Pegi" që e celebron këtë muaj duke i dhuruar publikut një histori romantike.
Si çdo histori romantike, libri ka një fund të ëmbël, pozitiv, që lexuesit e këtij zhanri e kërkojnë gjithmonë, pasi ofron një lloj "detoksifikimi" nga dramat dhe shqetësimet e jetës.
Në këtë libër ka dy personazhe kryesore: një vajzë dhe një djalë, të cilët takohen rastësisht në një avion. Ajo ka frikë nga fluturimet dhe, ndërsa është shumë e tensionuar, djali simpatik që ndodhet pranë saj e mbështet.
Ata bëhen shokë dhe avioni niset, por ndodh një aksident ku askush nuk humb jetën. Kjo dramë e veçantë ndryshon jetën e dy personazheve dhe, pas kalimit të një traume të tillë, ata ndryshojnë perceptimin për botën, për sigurinë dhe për vlerën e jetës.
Libri alternon mes ngjarjeve që ndodhin pas dhjetë vitesh, kur personazhet takohen përsëri rastësisht në Afganistan.
Ky është një tregim që ngre pyetje mbi fatin dhe rastësitë, duke shtjelluar temën e vendimmarrjes dhe ndikimin që ne kemi në jetën tonë, që të bën të reflektosh për domethënien e jetës.
A është gjithçka e shkruar në fat dhe ndodh pavarësisht gjithçkaje, apo vendimet tona mund të kenë ndikim dhe ndikojnë në rezultatet që arrijmë?
Ky roman na fton të mendojmë për këtë ndërlikim të jetës dhe për rolin që kemi në modelimin e fatit tonë.



