
Departamenti i Arsimit i Qytetit të Nju Jorkut ka përfshirë shqipen si një nga gjuhët zyrtare të komunikimit në shkollat publik.
Me këtë vendim, shqipja bëhet një nga vetëm 13 gjuhët e përfshira zyrtarisht në komunikimet shkollore, nga mbi 180 gjuhë që fliten në qytet.
Megjithatë, gjuhëtarja dhe pedagogia Teuta Toska, e ftuar në emisionin “Zgjohu me MCN”, sqaroi se ky vendim nuk ka të bëjë me përfshirjen e mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkolla, por vetëm me aspektin administrativ dhe komunikimin zyrtar midis institucioneve arsimore dhe prindërve shqiptarë.
Është një lajm shumë i mirë për komunitetin shqiptar, por dua të sqaroj se nuk bëhet fjalë për mësim të gjuhës shqipe në shkolla. Bëhet fjalë për përfshirjen e shqipes në komunikimin zyrtar, administrativ, mes shkollës dhe prindërve.
Ky është një hap i rëndësishëm që reflekton rritjen dhe peshën e komunitetit shqiptar në qytetin e Nju Jorkut.
Qëllimi është që dokumentet që shkolla i dërgon prindërve, njoftime, deklarata për pjesëmarrje në aktivitete, informacione të ndryshme të jenë të përkthyera edhe në shqip. Kjo për të shmangur pengesat në komunikim, sidomos për çështje të rëndësishme që kërkojnë miratimin apo ndërveprimin e prindërve.
Toska theksoi se ky vendim ka një ndikim të drejtpërdrejtë në përfshirjen e prindërve shqiptarë në jetën arsimore të fëmijëve të tyre, por nuk nënkupton që shqipja do të mësohet si lëndë mësimore në klasë.
Ky vendim ka të bëjë kryesisht me shkollat në lagje të caktuara, si në Bronx, ku komuniteti shqiptar është i pranishëm në mënyrë të konsiderueshme.
Nuk bëhet fjalë për njohje të shqipes si gjuhë zyrtare të sistemit arsimor amerikan, pasi shqipja është gjuhë zyrtare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por mund të jetë një gjuhë që mësohet, studiohet apo ruhet përmes programeve të veçanta.
Toska vlerësoi përpjekjet për përfaqësimin e komunitetit shqiptar dhe theksoi rëndësinë e dallimit mes statusit të gjuhës në sistemin arsimor dhe funksionit të saj në lehtësimin e komunikimit administrativ.



