Muzeu Hebraik Shqiptar, një projekt i rëndësishëm kulturor dhe historik, po ngrihet në zemër të qytetit të Vlorës, në lagjen e dikurshme të hebrenjve.
Ky muze vjen si një homazh ndaj mikpritjes dhe humanizmit të komunitetit vlonjat ndaj hebrenjve gjatë periudhave të vështira të historisë, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.
I pozicionuar në sheshin qendror të qytetit, pranë tre institucioneve të tjera të rëndësishme kulturore – Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Muzeut Historik dhe Muzeut Etnografik, ky muze synon të bëhet një tjetër pikë referimi për turizmin kulturor në Vlorë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot vijimin e punimeve në kantierin e muzeut, duke theksuar se po punohet çdo ditë me përkushtim dhe qasje që shkojnë përtej restaurimit klasik.
Në Muzeun Hebraik Shqiptar po punohet çdo ditë me ndërhyrje që shkojnë përtej restaurimit klasik, ku ndërthuren arkitektura vernakulare dhe ajo bashkëkohore. Muret origjinale të ndërtesës, struktura mbajtëse dhe elementët tipikë arkitektonikë të qytetit historik ruhen me përpikëri, ndërsa i gjithë procesi do të pasurohet me qasje moderne në dizajn dhe teknologjitë bashkëkohore të ekspozimit.
Projekti po realizohet me një fond prej 280 milionë lekësh dhe është konceptuar nga studioja e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”, me seli në Tel-Aviv, e cila ka fituar projektin përmes një konkursi ndërkombëtar.



