Trupi me arkivolin e aktorit të humorit Paulin Preka ka mbërritur sot në Shkodër. Mjeshtri i Madh i humorit jetonte në Itali dhe është ndarë nga jeta pak ditë më parë.
Në teatrin "Migjeni" u mbajtën homazhet, ku ishin të pranishëm familjarë, kolegë dhe miq të aktorit që për pothuajse 50 vjet i bëri shqiptarët të qeshnin.
Drejtoresha e teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka, thotë se shfaqja e radhës në teatër do të jetë me një material të të madhit Paulin Preka i cili përveçse aktor ishte edhe një tekstshkrues i një niveli të lartë.
Djali i të ndjerit Paulin Preka, Sokol Preka thotë se kohët e fundit kolosit të humorit shqiptar i mungoi shumë publiku dhe kolegët ndërsa falenderon për nderimin e figurës së babait të tij.
Paulin Preka numëron shumë role me estradën e teatrit “Migjeni”, po ashtu është pjesë edhe e shumë filmave kinematografik si dhe autor i shumë komedive e skeçeve të ndryshme, të cilat janë vënë në skenë për shumë vite me radhë. Humori dhe batutat e tij do mbesin gjatë ashtu siç Paulin Preka shënjoi emrin e tij në artin e kulturën shqiptare.



