
Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë e linjës në Qeverinë e Republikës së Kosovës janë pajtuar që edicioni i këtij viti i Sunny Hill Festival të mbahet në parkun e Gërmisë, me ç’rast janë siguruar lejet e nevojshme, njofton komuna.
Komuna thotë se për shkak të kufizimeve të hapësirës në parkun e Gërmisë, Sunny Hill Festival këtë vit do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që i ka festivali.
Sunny Hill Festival zotohet se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes të shtuar, dhe se pastrimi dhe rigjenerimi i parkut do të bëhet në afat rekord, edhe me investimet e nevojshme nga ana e Sunny Hill Festival.Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë tjera përkatëse, bashkë me Komunën e Prishtinës janë zotuar të ofrojnë mbështetje të plotë për realizimin e një edicioni të jashtëzakonshëm të Sunny Hill Festival në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.
Më 14 qershor, themeluesi dhe organizatori i këtij festivali, Dukagjin Lipa, pati bërë të ditur që Sunny Hill do të zhvendoset në Tiranë, “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Palët kanë qenë në diskutim të dhënies në shfrytëzim të një parcele prej 17 hektarësh për 99 vite në fshatin Bërnicë e Poshtme.
Mirëpo sipas deklaratës së 20 qershorit, palët kanë shprehur gatishmëri “që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme”.
Aty po ashtu është bërë e ditur që një edicion i veçantë me këngëtarë tjerë do të mbahet në Tiranë më 26,27 dhe 28 gusht.
Festivali është themeluar nga Fondacioni Sunny Hill, i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa dhe edicioni i parë është mbajtur më 2018.



