“Kamarja e turpit” do të përkthehet në anglisht. Vepra e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, do të përkthehet në anglisht nga Jonathan Hodgson. Kjo vepër përmbyll përkthimin e tre romaneve të ndërlidhura: “Kamarja e turpit”, “Ura me tre harqe” dhe “Pallati i ëndrrave”.
Në një kritikë të M Lynx Qualey, të publikuar në thenational.ae, libri vlerësohet si vepra e fundit që kompleton portretin burlesk të Shqipërisë së shek. XIX.
“Romani i vendos ngjarjet në një dimër të fillimit të viteve 1800, kur Shqipëria ishte nën thundrën e pushtimit osman. Ai rrëfen historinë e një qyteti të vogël në Kostandinopojë, në sheshin e të cilit priteshin kokat e tradhtarëve. Tre kokat më të rëndësishme zgjojnë interesin dhe habinë e turistëve, gazetarëve, diplomatëve dhe qytetarëve të shqetësuar”, thuhet në kritikën që i është bërë romanit nga autorja.
“Si në shumë romane të Kadaresë, edhe në këtë vepër, ka një ndërlidhje mes heshtjes shtypëse dhe nevojës së pangopur për t’u shprehur. Aparati burokratik i perandorisë i është përkushtuar eliminimit të gjuhëve kombëtare dhe zhdukjes së kujtimeve disidente. Por historitë e folklorit, thashethemet dhe pyetjet që ngrihen nuk mund të eliminohen. Arkivi qendror mund të bëjë mrekulli, siç ka bërë në Ballkan, por është përtej aftësive të tij të fshehë pyetjet kanosëse që nxjerrin kokën si majat e maleve në mjegull dhe që duket sikur ndriçojnë botën”, thuhet në shkrim.
“Mundet që Kadare, tashmë 80 vjeç, të mos e fitojë Nobelin e Letërsisë. Por “Kamarja e turpit” është me siguri një nga romanet më të bukura që e kërkon një çmim të tillë”, përfundon kritikja.
M Lynx Qualey është redaktore dhe kritike letërsie me fokus kryesisht çështjet e përkthimit dhe letërsinë arabe.



