
Biblioteka Kombëtare ka hapur një ekspozitë në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea”, ku janë ekspozuar dorëshkrimet personale të shkrimtarit të njohur Naum Prifti.
Në ceremoninë e hapjes, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi, e cila ishte e pranishme së bashku me vajzën e shkrimtarit, Julika Prifti, përshëndeti të ftuarit dhe falënderoi për organizimin e këtij takimi të veçantë.
“Është një ekspozitë e re dhe e paparë më parë. Babai kishte ruajtur 100 dosje në shtëpi, ku çdo gjë ishte e detajuar, duke treguar përmbajtjen e çdo dosjeje. Ai ka po aq shumë material të pabotuar sa ka të botuara. Janë një mori filmash,” u shpreh Julika Prifti gjatë fjalës së saj.
Artistet Justina Aliaj dhe Violeta Trebicka, interpretuan pjesë të krijimtarisë së Naum Priftit, si “Lisi plak” dhe “Pse Shqipëria ka male shumë”.
Dorëshkrimet e ekspozuara kanë një vlerë të veçantë, pasi përmbledhin historikun e krijimtarisë letrare dhe kinematografike të Naum Priftit, si dhe ofrojnë detaje interesante nga jeta e tij personale dhe natyra kurioze që shkrimtari kishte.
Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vitet e jetës së tij, dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi dhe të hedhura më pas në kompjuter, qindra analiza, diskutime, letërkëmbime dhe biseda, që mund të cilësohen pa hezitim si publicistikë për nga ideja dhe mesazhi që ato mbartin dhe përcjellin.
Për të pranishmit u shfaq gjithashtu dokumentari "Porosia e Përjetësisë" nga producenti Mumin Jashari, i realizuar nga Media Film Production, Prishtinë, që trajton amanetin e shkrimtarit Naum Prifti për t'ia sjellë hirin në Shqipëri.
Naum Prifti lindi në Rehovë të Kolonjës, ku kreu shkollën fillore dhe më pas shkollën 8-vjeçare në Ersekë. Në vitin 1953, ai përfundoi Politeknikumin Mjekësor në Tiranë dhe punoi për një vit si ndihmësmjek në Sanatoriumin e Korçës. Pasionuar pas letërsisë, vazhdoi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Nga 1954 në 1960 shërbeu si redaktor në revistën Hosteni, ndërsa nga 1960 deri në 1967 ishte redaktor i revistës Ylli.
Në vitin 1991, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Nju Jork), ku vazhdoi të kontribuonte për komunitetin shqiptar dhe letërsinë shqipe. Në vitin 1995, ai u zgjodh sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra.
Naum Prifti ka fituar shumë çmime për veprat e tij letrare, përfshirë vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor, dhe skenarë filmash.
Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe përfshin disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë dhe shumë më tepër.



