Restaurimi i ikonës “Shën Athanasi i Aleksandrisë” në një kishë në fshatin Skorë të Gjirokastrës, po zbulon pikturën origjinale e cila është e një cilësie më të lartë artistike. Lidhur me vlerat artistike të kësaj pikture, përgjegjësi i Laboratorit të Restaurimit në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, Genti Proko, përmes skype për edicionin e lajmeve të TvT, tha se ajo i takon periudhës së fillimit të shekullit XIX.
“Kjo ikonë ka filluar te restaurohet para një muaji, para kësaj kanë qenë edhe dy ikona te tjera, në fshatin Skorë, të cilat ishin pikturuar në shekullin XIX, piktura ishte e nivelit të dobët, dhe ne e kemi hasur shpesh ripikturimin e veprave në një peridhë të mëvonshme”.
Piktura sipas ekspertit të restaurimeve të ikonave, duhet të jetë bërë në përiudhën post-bizantine të atelieve të asaj kohe, nga një piktor cilësor, piktura e të cilit po zbulon vlerat e vërteta të saj.
“Piktura e zbuluar poshtë saj duhet të jetë realizuar në fillimet e shekullit XIX dhe nga ana artistike është më shumë cilësore, heqja e saj, po zbulon vlerat e vërteta. Kjo shihet që është e fillim shekullit të XIX, dhe e bërë nga një autor i mirë, mesiguri në atë kohë të realizuar në periudhën post-biznative, të atelieve të asaj zone”.
Përgjegjësi i Laboratorit të Restaurimit në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, Genti Proko, bërë të ditur se restaurimi i ikonës po bëhet mbi vernikun e pikturës së vjetër, duke e larguar me bisturi përmes një mikroskopi të veçantë dhe kohë të gjatë për tu realizuar.
Së shpejti Laboratori i Artit Mesjetar në Korçë, planifikon hapjen e një ekspozite me veprat e restauruara të realizuara gjatë viteve, të cilat ruhen në fonde të veçanta.



