
Interneti mbushi 50 vjeç. Më 29 tetor 1969 u krye transmetimi i paketës së parë të të dhënave midis dy kompjuterëve, një në Universitetin e Los-Anxhelesit nën mbikëqyrjen e shkencëtarit të kompjuterave Leonard Kleinrock - dhe tjetri në Institutin e Kërkimeve në Stanford.
Rrjeti nuk quhej internet, por Arpanet, dhe ishte një projekt i kërkuar nga një agjenci e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, ARPA (Agjensi e Projekteve të Kërkimit të Avancuar).
20 vjet më vonë, më 1989 babai i Internetit, Tim Berners-Lee paraqiti një ese në Cern në Gjenevë, e cila përfaqësonte bazën teorike të rrjetit në mbarë botën, ndërsa më 1991 u shfaq faqja e parë e internetit. Me rritjen e internetit dhe të shërbimeve të tilla si posta elektronike, interneti u bë rrjeti global i telekomunikacionit që sot lidh miliarda njerëz dhe objekte, megjithatë, pothuajse gjysma e popullsisë së botës nuk është e përfshirë në të.
Pavarësisht se kanë kaluar 50 vjet nga lindja e tij, në të vërtetë, interneti nuk është ende i disponueshëm për të gjithë. Sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit në fund të vitit 2018 përdoruesit e internetit ishin 3.9 miliardë, shifër e barabartë me 51.2% të popullsisë botërore. Me fjalë të tjera, vetëm gjysma e banorëve të planetit ka qasje në internet.



