
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një takim me shkrimtarë, studiues dhe lexues, me rastin e 79-vjetorit të lindjes së Fatos Kongolit, një prej shkrimtarëve bashkëkohorë më të vlerësuar në letrat shqipe të pas viteve ’90, për frymën e tij të re në prozë dhe temën ekzistenciale mbi fatin e njeriut në shoqërinë shqiptare.
Takimi u zhvillua në mjediset e QKLL-së ku i pranishëm ishte edhe vetë shkrimtari i cili mori urimet nga miq dhe kolegë shkrimtarë.
Mes miqsh dhe lexuesish trokitëm gotat dhe ndamë biseda, në 79-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Fatos Kongoli.
Një nga përfaqësuesit e letërsisë moderne shqipe, Kongoli ka një kontribut të çmuar në historinë e letrave shqipe pas viteve '90.
I urojmë jetë të gjatë!
Fatos Kongoli lindi më 12 janar 1944 dhe sot është një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë të pas viteve ’90. Kongoli ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin e pjesërisht në Tiranë.
Është autor i një numri të madh librash si: “Lëkura e qenit”, “Dragoi i fildishtë”, “Ëndrra e Damokleut”, “I humburi” e shumë të tjerë, të cilët janë përkthyer edhe në Francë, Itali, Gjermani, Zvicër etj.



