Muzika e mrekullueshme e kompozitorit të mirënjohur të muzikës shqiptare, Feim Ibrahimi, do të sillet nga Teatri Kombëtar i Operës e Baletit, sonte në mbrëmje.
“Në Arkivin tonë, kemi të ruajtura programet e të gjitha koncerteve të tij, libretet, partiturat e shkruara me dorë, foto dhe shkrime të gazetave ndër vite”, shkruan TKOB në një postim në rrjetet sociale, dedikuar koncertit të ardhshëm.
Pjesë e koncertit vokalo- simfonik “Simfonitë e shpirtit” do të jetë kompozimi i Feim Ibrahimit, “Simfonia tragjike”.
Kjo vepër ndërthur muzikën klasike, dhe elementë të traditës shqiptare të vajeve, për të përcjellë një emocion të veçantë.
“Simfonitë e Shpirtit”, përveç se nga Feim Ibrahimi ka pjesë të kompozuara edhe nga Aleksandër Peçi, pas viteve ’90, "Valsi i trendafilave" dhe “Koncerti n. 6 për violinçel dhe orkestër”.
Në koncert do të interpretojë sopranoja Marina Kurti dhe violonçelisti Klaudio Zoto, ndërsa Orkestra Simfonike e TKOB-së, do të dirigjohet nga maestro, fitues i konkursit ndërkombëtar italian të dirigjimit, Nicolò Jacopo Suppa.



