Vera është stina e librave. Koha e pushimeve është momenti më i mirë për lexuesit. Në studion e MCN Informacion, Aida Baro nga botimet PEGI tha se janë disa titujt që mund të merren me vete në çantën e plazhit, mes të cilëve edhe klasikët e risjellë.
Kemi marrë të drejtën e përkthimeve të Vedat Kokonës. Kemi sjellë “Ana Kareninën” dhe “Sagën e Forsajtëve”. Rrëfejnë një epokë. Kur e rilexova “Ana Kareninën” shoh një tjetër libër. Rileximet e klasikëve na ndihmojnë të kuptojmë ato gjëra që nuk i kemi kuptuar më parë.
Lexojnë kryesisht gratë dhe vajzat. Meshkujt që lexojnë orientohen më shumë te filozofia.
Është e vështirë të japësh sugjerime për librat. Sepse mund të gabosh. Sidomos me të vegjlit dhe të rinjtë. Duhet një vëmendje shumë e madhe për t’u dhënë atë që u pëlqen atyre. Këtë duhet ta bëjnë mësuesit, prindërit. Në panair pashë që i lënë fëmijët të zgjedhin. Kjo është gjë e mirë.
Baro tha se janë disa titujt e autorëve shqiptarë që mund të lexohen gjatë kësaj vere.
Shkrimtarët shqiptarë nuk kanë sezon. Ata shkruajnë atë që ndiejnë dhe ende nuk janë infektuar nga trendet e sezoneve. Unë do të sugjeroja “Parajsa artificiale” e Ben Blushit ose “Ora e ligë” dhe “I rënë nga qielli” i Tom Kukës.
Sezoni veror u parapri nga panairi i librit në Prishtinë, në të cilin Baro tha se pjesëmarrja ishte e ulët.
Pjesëmarrja ishte më e ulët se vitet e tjera. Ka filluar të bjerë interesimi për librin. Është periudha pak para plazhit. Një pjesë e lexuesve kanë nisur pushimet.



