
Pantallonat e ngushta të zeza të Olivia Newton-John dhe xhaketa prej lëkure që u përdorën në filmin "Grease" u shitën për 405 700 dollarë në një ankand të Beverly Hills të shtunën, më shumë se dyfishi i çmimit të pritshëm, siç ishte parashikuar në ankandet e Julien.
Veshja që shënoi kalimin e karakterit të Newton-John-it në muzikalin e vitit 1978 nga një modeste e shkollës së mesme në Sandy joshëse dhe seksi, ishte ndër 500 artikujt në shitje për të ndihmuar në mbledhjen e parave për qendrën e trajtimit të kancerit të hapur në Australi nga vetë artistja.
Pantallonat e famshme të veshura prej saj në duetin "You-re the one that I want “ (Ti je ai që dua) me John Travolta ishin aq të ngushta sa duhej të qepeshin në trup për të filmuar skenën dhe u shitën me një zinxhir të thyer. Blerësit për pantallona dhe xhaketë nuk u zbuluan.
Ankandi mblodhi 2.4 milionë dollarë në total, me shumë artikuj që lidhen me filmin që i kapërcyen shumë herë vlerësimet paraprake.
Një poster "Grease" i nënshkruar nga aktorja, Travolta dhe anëtarët e tjerë të trupës filmike u shit për 64 000 $, një shumë e konsiderueshme, krahasuar me vlerësimin fillestar prej 1.000 $. Fustani i dantellave rozë që aktorja kishte veshur në premierën e filmit në Los-Anxheles arriti 18 750 dollarë. Një xhaketë me porosi dhënë aktores nga kasti dhe ekuipazhi mori 50 000 dollarë, 25 herë më shumë se vlerësimi i saj origjinal.
Këngëtarja dhe aktorja 71- vjeçare me origjinë britanike, e lindur në Australi, tha në fillim të këtij viti se ajo po luftonte kancerin e gjirit për herë të tretë që kur u diagnostikua për herë të parë në 1992.
Pas periudhës së parë të saj me kancer, ajo ndihmoi në ngritjen e “Olivia Newton-John Cancer and Wellness Center” në Melbourne, e cila synon të mbështesë mendjen dhe trupin.
Të gjitha të ardhurat nga xhaketa dhe pantallonat "Grease" dhe sendet e tjera do të jenë përfitim i qendrës. /Reuters/



