
Shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio në Korçë pas përfundimit të restaurimit, do të rihapet për publikun.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se ky është një tjetër atraksion për turistët që vizitojnë Korçën.
“Pas përfundimit të restaurimit të çatisë, shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio, në Korçë do të hapë dyert për vizitorët, që çdo ditë e më shumë preferojnë të ndalen në qytetin e serenatave”, tha Margariti.
Për vlerat etnografike që mbart dhe për faktin se aty lindi një nga piktorët më të shquar shqiptarë, kjo shtëpi është shpallur shtëpi-muze.
Gjatë karrierës prej 40 vjetësh, Vangjush Mio realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura.
Rreth 60 punime të tij zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e së bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze të tij.



