Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dorëzuar sot një kallëzim të ri në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.
Aktivistet akuzojnë kryeministrin Rama, ministrin i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe kryebashkiakun i Tiranës Erion Veliaj për shpërdorim detyre, korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.
Juristja, Adriana Kalaja deklaroi për mediet se janë paditur kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ministrja Elva Margariti, dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, pasi shembja e këtij teatri është e jashtëligjshme.
“U kryen veprime kriminale. Të gjitha veprimet që janë bërë nga kryeministri, qoftë ish-ministrja Kumbaro, ministrja Margariti, drejtori i kadastrës etj kanë bërë veprime kriminale. I kemi kallëzuar për shpërdorim detyre, korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion pasiv. Ne shpresojmë dhe besojmë se jemi të gjithë dëshmitarë të reagimit të Parlamentit Europian. Fakti që vijmë pranë SPAK besojmë dhe shpresojmë që shumë shpejt gjërat do lëvizin dhe kemi marrë një informacion që SPAK ka nisur hetimet”, deklaroi Kalaja.
Ky kallëzim nuk është i pari që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit depoziton në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit.



