
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot në vëmendje 10 majin e vitit 1933, datë kur kancelari i Gjermanisë, Adolf Hitler, ndërmori djegien masive të librave.
Të parët në radhë të kësaj fushate ishin librat që u përkisnin autorëve me prejardhje hebraike. Mandej, në vitin 1938, nazistët detyruan pronarët e dyqaneve hebraike për të shfaqur fjalët “biznes hebre” në dritaret e tyre. Pas pushtimit të Polonisë, një zyrtar lokal i zellshëm nazist propozoi mbajtjen e simbolit dallues në formën e 2 trekëndëshave të verdhë me nga 15 cm madhësi, të ndërthurur për të krijuar yllin 6-cepësh të Davidit.
Nisur nga kjo DPA kujtoj kohën përgjatë Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët mirëpritën mbi 3 000 hebrenj, të cilët arritën t’i shpëtonin vdekjes duke u strehuar në shtëpitë e vendasve. Në fondet e AQSH-së gjenden materiale që dokumentojnë masat e ndërmarra prej institucioneve shtetërore, për të siguruar mbarëvajtjen e qëndrimit të hebrenjve.
Bashkëngjitur, janë paraqitur lista me emra shtetasish izraelitë që u akomoduan në disa qytete të vendit. Po ashtu, janë publikuar foto të Gavra Mandilit, shtetasit izraelit të strehuar familjarisht në Shqipëri nga Refik Veseli.






