Shkrimtari dhe studiuesi Ardian Vehbiu, blogun “Peizazhet e fjalës” e cilësoi si revistë, për shkak të zgjerimit të temave të shtuara pas krijimit.
Ai zbuloi në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos, se motivi ishte që të krijohej një hapësirë online ku mund të flitej lirisht.
Personalisht motivi im ishte që të krijoja një blog, një revistë, një platformë, një revistë që të ishte e tillë siç do të doja unë ta kisha pasur kur isha student. Gjë që mua më kishte munguar.
Ajo që ka rëndësi është arkivi, se janë 15 vjet, shkrime, studime që vijnë në ndihmë të lexuesit falas. Ata që kërkojnë e gjejnë diçka, por diçka e keqe është se temat që trajtojmë ne janë të një niveli të avancuar.
Shkrimet më të lexuara janë nga studentë dhe nxënës. Ka një makineri në prapaskenë që të tregon se si vijnë, pasi përkojnë shpesh me kohën kur këto tema trajtohen në shkolla.
Diskutimet më të mira tek ne janë ato që ndiqen më pak, se kanë natyrë më të specializuar. U hap një debat për prejardhjen etnike të minoritetit grek, por ka një aspekt që prek një tel të të gjithëve dhe krejt papritur filluan të vijnë shkrime nga njerëz shumë të respektuar dhe u bë një nga debatet më të mira që mund të kishim ne.
Ka një pjesë njerëzish që kanë frikë nga mediumi dhe nuk duan të ekspozohen në internet, i'u duket sikur po futen të lahen në një pellg me derrat.
Ka akademikë që vijnë tek ne duke filluar që nga Bardhyl Demiraj, Pëllumb Xhufi, Anila Omari, njerëz që është t’iu heqësh kapelën për nga niveli dhe integriteti.
Vehbiu zbuloi se revista nisi nga një forum diskutimesh online dhe se nga aty e ka origjinën, kur disa pjesëmarrës nuk e ndjenë veten mirë në forum dhe menduan të krijojnë diçka të tyren.
Ai tha se kur u krijua revista tërhoqi një brez lexuesish që ishin mësuar ta merrnin informacionin online, ndërsa për akademikët e vjetër tha se kanë të tjera zakone dhe deri para disa kohësh nuk pranohej si referim të dhënat online.
Ka një krizë gjeneracionale në akademi, ka një brez i vjetër që po del nga skena jo vetëm nga mosha por edhe në produktivitet. Është një brez nën këta që nuk i ka pasur mundësitë se janë rritur në një periudhë krize.
Revistat nuk kanë dalë. Një akademik që nuk ka se ku ti botojë studimet, është i tredhur, ndërkohë që hapësira online të jep mundësinë që ta eliminosh këtë lloj pengese.
Ka akademikë që i kalojnë direkt online se revista mund të dalë pas katër vitesh, por kush e mban mend që ka ndodhur një konferencë para katër vitesh. Publikimi online i ka ndihmuar akademikët.



