Festivali europian i këngës, Eurovision 2026, u fitua nga Bullgaria, e cila grumbulloi 516 pikë nga votat e jurisë profesioniste dhe publikut.
Finalja e madhe e Eurovisionit solli një garë të fortë dhe plot emocione mes 25 shteteve pjesëmarrëse, ku rivaliteti më i madh u zhvillua mes Bullgarisë dhe Izraelit.
Në fund, kënga “Bangaranga” e këngëtares bullgare Dara u shpall fituese falë performancës energjike dhe vlerësimit të lartë si nga juria, ashtu edhe nga publiku.
Në vendin e dytë u rendit Izraeli, mes polemikave e fishkëllimave në momentin e shpalljes së rezultatit të televotimit.
Rumania u rendit e treta me 296 pikë, Australia e katërta me 287 pikë, ndërsa Italia me Sal Da Vinci u pozicionua në vendin e pestë me 281 pikë.
Britania e Madhe u rendit e fundit me vetëm një pikë.
Ndërkohë, Shqipëria u përfaqësua nga Alis me këngën “Nân”, e cila rrëmbeu duartrokitje dhe reagime pozitive nga publiku evropian.
Megjithatë, pavarësisht pritjes së ngrohtë dhe performancës emocionuese në skenën e madhe të Eurovisionit, kënga nuk arriti të futej në top 10, duke u renditur në vendin e 13-të me gjithsej 145 pikë.
Shqipëria mori mbështetje të konsiderueshme nga disa shtete pjesëmarrëse, mes tyre 12 pikë nga Portugalia dhe 10 pikë nga Mali i Zi.
Nga ana tjetër, juria shqiptare i dha 12 pikët maksimale Italisë dhe 10 pikë Norvegjisë.




