Kanë përfunduar punimet restauruese në godinën e Muzeut Arkeologjik të Korçës, e njohur si ish-banesa historike e Fani Pjastos, një prej objekteve me vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Në kuadër të bashkëpunimit mes Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe Bashkisë Korçë, po punohet për hapat e mëtejshëm drejt muzealizimit dhe rijetëzimit të kësaj hapësire.
Projekti synon ta shndërrojë muzeun në pjesë të një rrjeti të integruar kulturor dhe muzeor, që promovon historinë, identitetin lokal dhe përvojat autentike të zonës.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryebashkiakun e Korçës, Sotiraq Filo, vizituan nga afër godinën e restauruar, duke u njohur me rezultatet e ndërhyrjes restauruese.
Punimet tashmë kanë përfunduar dhe objekti është gati të hapë dyert për vizitorët, duke i shtuar Korçës një tjetër pikë të rëndësishme në hartën e trashëgimisë kulturore dhe turizmit kulturor.
Muzeu Arkeologjik i Korçës ndodhet në banesën historike të Fani Pjastos, një ndër godinat më përfaqësuese të trashëgimisë arkitekturore të qytetit.



