Gërmimet arkeologjike në nëntokën e Durrësit kanë zbuluar një perëndeshë.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Nëntoka e Durrësit vazhdon të nxjerrë në dritë historinë e saj. Mes të tjerash zbulime doli në dritë edhe një perëndeshë.
Margariti ka njoftuar se gërmimet janë udhëhequr falë një projekti shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrachion, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. As. Dr. Eduard Shehi nga Instituti i Arkeologjisë dhe Prof. Catherine Abadie-Reynal nga Universiteti Lyon 2, të cilat janë drejt përfundimit të gërmimeve arkeologjike në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçisë.
Nga gërmimet në Forumin Bizantin janë arritur nivele të periudhës perandorake romake, ku u gërmua një banesë e shek. II e.s., e cila ishte shkatërruar tërësisht nga një zjarr i fuqishëm. Sipas arkeologëve shtresa e djegies së banesës përmban shumë objekte të jetës së përditshme. Mes objekteve të ndryshme, zbuluar këtë vit, bie në sy një figura bronzi e një personazhi femëror në lëvizje. Teksa pritet të pastrohet e konservohet, arkeogu Shehi thotë se mund të kemi të bëjmë me figurën e një perëndeshe (ndoshta Artemis ose Lar/Lares), pjesë e faltores së banesës.



