
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka sjell sot në vëmendje 10 prillin e vitit 1921, datë kur u lind në Kavajë, dirigjenti Mustafa Krantja.
Dirigjenti i parë i Filarmonisë shqiptare dhe më pas i Teatrit të Operas dhe Baletit, hodhi bazat e dirigjimit operistik në vend. Drejtues i mjaft koncerteve, operave dhe baleteve të para, që ky institucion vuri në skenë.
Gjatë disa dhjetëvjeçarëve drejtoi një numër të madh premierash të kompozitorëve shqiptarë dhe të kompozitorëve botërorë në të gjitha gjinitë, që nga kënga deri tek opera e baleti, ndër të cilat mund të përmendim operat: “Rusallka” (operën e parë të vënë në skenë në Shqipëri); “Ivan Susanjin”; “Nusja e shitur”; “Traviata” etj.
Kontributi i tij ka vijuar edhe me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, Orkestrën e Konservatorit Shtetëror të Tiranës dhe si pedagog i dirigjimit në Institutin e Lartë të Arteve.
Krantja njihet gjithashtu si kompozitor i mjaft veprave muzikore, vokale e simfonike dhe një publicist i palodhur, nga pena e të cilit kanë dalë një numër i madh artikujsh të ndryshëm të artit muzikor, emisione të ndryshme televizive e intervista.
Për karrierën e tij artistike është nderuar me çmime, urdhra e medalje të shumta, si: Urdhri i Punës të klasit të parë dhe të dytë; Urdhri “Naim Frashëri” i klasit të Parë, titulli “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, medalja e nderit nga Opera e Bakut, medalja “Anëtar Nderi i Përjetshëm” e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Artit dhe Letërsisë me seli në qytetin e Brindizit (Itali), medalja “A. Dvorzhak” nga Ministri i Kulturës i Republikës Çeke.
Kranjta mban titullin e lartë “Nder i Kombit”.




