
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot në vëmendje 4 majin e vitit 1967, datë kur ndërroi jetë ekonomisti, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi i spikatur, Mitrush Kuteli (13 shtator 1907-4 maj 1967)
Mitrush Kuteli, pseudonim i Dhimiter Paskos, ekonomist, shkrimtar, publicist dhe përkthyes, i spikatur për pikëpamjet e tij demokratike, nuk mund t'i shpëtonte dorës së hekurt të diktaturës. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë "Diplomam Magnam cum Laudæ" në Universitetin e Bukureshtit.
Pasko njihet fare pak për veprimtarinë e tij në sektorin bankar, ku shërbeu si konsulent teknik i Bankës Qendrore Shqiptare që prej vitit 1943. Studimet e tij për evidentimin e vjedhjes së arit shqiptar nga gjermanët dhe shumë studime të tjera të depozituara pranë Ministrisë së Financave të kohës, do t’i vinin në ndihmë palës vendase në argumentimin e kërkesave drejtuar aleatëve pas lufte.
I burgosur në vitin 1947 me akuzën armik i popullit, do të lirohej nga burgu pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë, 1949.
Kushtet në të cilat do të ndodhej pas lirimit nuk do t‘i jepnin atij mundësinë e botimeve, duke i mohuar kështu shprehjen e talentit të tij në letërsi. Deri vonë ai do të merrej me përkthime duke gjetur në këtë mënyrë një ngushëllim ndaj zvetënimit të vullnetit të lirë që karakterizonte atë kohë absurde.
Mitrush Kuteli humb jetën më 4 maj 1967 duke lënë pas vepra të një gjuhe të pasur dhe personazhe të pavdekshëm.




